Ndërtimi i Durrës Yacht and Marina nuk cenon kushtetutën, hyn në fuqi vendimi i Gjykatës
Ka hyrë në fuqi vendimi i Gjykatës Kushtetuese për rrëzimin e kërkesës së deputetëve të opozitës për shfuqizimin e ligjit që miratoi zhillimin e projektet “Durrës Yachts & Marina”.
Më herët, opozita e ka kundërshtuar ashpër projektin me argumentin se shkel Kushtetutën dhe Marrëveshjen e Stabilizim Asocimit (MSA), duke e bërë kështu çështjen pjesë të gjykimit të trupës së Gjykatës Kushtetuese të Shqipërisë.
Gjykata ka vlerësuar se procedura e zhvilluar nga Kuvendi në miratimin e ligjit ratifikues të marrëveshjes nuk cenonte parimet dhe standardet kushtetuese.
Gjykata Kushtetuese i cilëson pretendimet për cenimin e MSA-së si të pabazuara, pasi ato kanë të bëjnë me marrëveshjen e miratuar me ligjin nr. 145/2020, sipas të cilit përzgjedhja e investitorit të paracaktuar bëhet pa garë. Kjo marrëveshje dhe MSA-ja gjenden në nivel të njëjtë hierarkik, ndaj Gjykata nuk mund të vendosë për papajtueshmërinë mes tyre.
Neni 74 i MSA-së lejon konkurrimin e shoqërive të komunitetit njësoj si ato shqiptare, ndërkohë që marrëveshja e bashkëpunimit përjashton procedurat e konkurrimit, pasi procedurat e përzgjedhjes së subjekteve, sipas rregullave të zakonshme të konkurrimit dhe tenderimit, nuk garantojnë në çdo rast përzgjedhjen e subjektit për realizimin e investimit dhe të projektit.
Pretendimet se marrëveshja e miratuar me ligjin objekt kundërshtimi përbën ndihmë shtetërore janë gjithashtu të pabazuara.
Përjashtimi i projektit nga taksa e ndërtimit në infrastrukturë dhe kontributi i strehimit social është bërë në përputhje me nenin 155 të Kushtetutës, ligjin për investimet strategjike dhe VKM-në nr. 1030/2015, “Për organizmin dhe formën e pjesëmarrjes së shtetit në investimet strategjike dhe rregullat për krijimin, funksionimin e administrimin e fondit të pasurive të paluajtshme për mbështetjen e investimeve strategjike (VKM nr. 1030/2015).
Ky përjashtim konsiderohet kontribut i shtetit në kapitalin e shoqërisë, i cili do të mblidhet në formën e dividentit nga fitimi. Praktika të tilla janë ndjekur dhe më parë nga shteti shqiptar për projektet me rëndësi kombëtare dhe interes të lartë publik thekson Gjykata Kushtetuese.
Ky projekt parashikon ndërtimin e hoteleve, rezidencave private, shëtitoreve, dyqaneve, restoranteve superluksoze, mbi 80 mijë metra katrorë parqe dhe hapësira të hapura, si dhe 170 dyqane tregtare rreth portit të ri.
Punimet për ndërtimin e “Durrës Yachts & Marina”, janë të ndara në tre faza, ku në fazën e parë janë godinat, më pas infrastruktura dhe në fund Marina. Totali i këtij investimi të marrë përsipër nga biznesmeni nga Emiratet e Bashkuara Arabe, Mohamed Alabbar, llogaritet në afro 2 miliardë euro. /Scan